Sunday, June 18, 2006

Dimri do të vijë përsëri në Shqipëri

Botuar tek ‘The Albanian’ Londer Mars 06

Sipas besimit të lashtë të shqiptarëve për ndërimin e stinëve, ardhja e Ditës së Verës shënon njëkohësisht dhe lënien pas të Dimrit.
Shqiptarët në besimin e tyre të Para-Krishtërimit , e shprehnin gëzimin dhe adhurimin e tyre per ardhjen e Pranverës, nëpërmjet festimit të Ditës së Verës që kryhej me ndarjen e ëmbëlsirave, veshjen e rrobave të reja me ngjyra, gërshetave të leshit të ngjyrosur me të kuq dhe te bardhë qe u viheshin ne dorë fëmijëve, shkuarjet në piknik me familjaret, te afërmit dhe gjitonët e lagjes.
Nga fëmijeria mbaj mend që kjo ishte një nga ditet më te vecanta që ime Më mundohej të na trajtonte me një zemërgjegjsi të pa shoqe tek shkonim familjarisht në ndonje pyll apo kodër qe i kish shpetur parrulles te mënxyreshme të Partise “T’u qepemi kodrave dhe maleve dhe… t’i shkatërojme ato si dhe fushat!”.

Unë atëhere nuk arrija t’a lidhja dot këtë shend me asnjë ‘festim’ tjeter zyrtar që paralajmërohej e bučiste në artopolantet e radios dhe televizionit partiak. Disa njerëz as qe mundet ta shpjegonin përse gjindja festonte ashtu atë Ditë Vere, që në fakt paralejmeronte më shumë sesa ardhjen e Verës, mbarimin e Dimrit.
Kjo feste, po të shikohej me imtesi, nuk dukej sikur kishte vulen dhe hovin qe i jepej ditëve të tjera që ishin bërë forcërisht ‘zakon’ me urdhër të Partisë së Punës.
Të gjithë atëhere e pëlqenim ate festë; qofshin komuniste, të deklasuar, punëtorë, fshatarë, familje të shpallura ‘Kulake’ dhe po të dije të kuptoje ashtu ‘duke lexuar midis reshtave’; familje të Krishtera, shqiptarë Ortodoks, Bektashinj dhe shqiptarë të besimit mysliman.
Kjo ishte nje tjeter prove e faktit te njohur se Shqiptaret ndonese kishin përvetsuar tri fe (krishterimin, islamizmin dhe ateizmin) dhe praktikonin dikur katër besime (katolicismin, ortodoksismin, myslimanizmin dhe bektashizmin) ne thelb vinin nga e njejta rrënje dhe gjenezë e përbashkët.
Por askush nuk e festonte hapur dhe me shkrehjen që shkaktonte gëzimi qe të jep vetvetiu mbarimi i Dimrit mënxyrshumë.

Ajo feste e lashtë që në kohe të mëparshme duhet të kishte patjeter zjarre të mëdha në kodra dhe qafa malesh të Ilirisë, që duhet të kish gjëmuar nga lodrat, ciftelitë, daullet dhe pipzat, që duhet të kishte mbërthyer katunde dhe fise të tëra mes e përmes krahinave me kengë dhe valle, tani vecse festohej në mënyrë të përmbajtur, gati nën frikë, për te mos ngjallur xhelozinë e “Partisë Mëmë” për festat që lëshoheshin si me recetë nga kjo e fundit.

Por dukej sikur jehona e traditës mijravjecare në ndërgjegjen e shqiptareve ngjallte akoma disa instikte dhe dëshira gati te natyrshme dhe që pararendnin festat e peshtira me origjine bolshevike, sic qe ajo e Lindjes se Partisë me 8 Nentor, e cila për shqiperine do te identifikohej me pas me lindjen e përbindshit dhe kucedrës në nën-kulturën dhe folkun stdentor të ’89tës – ‘90tës.
Dukej sikur në ato ditë Shqipëria jetonte një ogur te mirë, sikur lufta klasore dhe vet-izolimi kishte për të marrë një ditë fund njesoj sikur skëterra dhe gjëmat e Dimrit mbaronin ‘zyrtarisht’ në Ditën e Verës, pasi prej këndej e mbrapa Dita i “merrte” Natës.

Në këtë ditë shqiptaret ndjeheshim më natyrshëm në gezimin e tyre megjithëse të varfëruar në dekadat e fundit të ekonomisë Enveriste.
Ndryshe nga një festim i Ndërimit të Moteve në fundin e vitit 12 muajsh; 31 Dhjetori - një tjetër festë që nuk kish lidhje me fest-recetat e Partisë që shënonte mbarimin e nje viti kalendarik dhe që për një pjesë mundet të kishte qenë i hidhur duke shpresuar që të merrte fund, nje orë e më para, por për një pjesë tjeter mundet te kish qene i mbrekullueshem saqë të urohej dhe shpresohej të mos mbaronte kurrë; Dita e Veres në përgjithësi simbolizonte të njëjten gjë për të gjithë.
Kjo qe: mbarimi dhe lënia pas e te ftotit, zgjatja e dites ndaj nates, fundin e erresires dhe zemerimit Dimeror, zgjatja e Ditës, domethënë - ardhja e Dritës.
Veshtirë se mundet të përfytyrohet ndonjë gëzim më i natyrshem sesa ndjesia që të jep zgjatja e ditës, celja e sytheve të molles, celja e gjetheve te pjergullat dhe qershitë, buzëqeshja e luleve apo kurorat me lule-bore me të cilat vajzat lagjes në Ditën e Verës zbukuronin flokët dhe gjokset e tyre me kurorat e thurura posacerisht si Zanat e legjendave Ilirike.
Ishte nje rizgjim i natyrës i pamatur dhe gjithëperfshirës që as që mund të krahasohej me ndonjë ‘rizgjim klasor’ që vinte në festën e 5-Majit ( Dites së Dëshmoreve).
Njerëzit dukej sikur linin pas dasitë dhe mërirat e luftës së klasave apo dasive të tjera që nuk ishin më prezente pas 67-s kur Enver Hoxha e shpalli Shqiperine Vend Ateist duke nënkuptuar se për shqiperinë dhe shqiptarët nuk ka Zot tjetër dhe se Partia ishte dhe Nënë dhe Babë. …

*******************

Këto po mendoja tek merja lajme se më 14 Mars te vitit 2006 Shqiptaret po festonin përsëri Ditën e Verës.
Me lejimin e feve në shqiperi në 1990-te kjo festë qe nuk i përket asnjë partije dhe festohet nga të gjithë shqiptarët filloi të festohej më me jetë, më me ciltërsi dhe më hapur. Në vitet e fundit po duket sikur po rimerr kohen e humbur nen totalitarism. Edhe këtë vit s’munguan ëmbëlsirat , biskotat, shëtitjet me rroba te reja dhe drekat në gjirin e natyrës.

Për më tepër, përvec simbolikes mijravjecare të kësaj feste në dekadad e fundit po i shtohet edhe një simbolikë tjetër që ka lidhje me një kulturë dhe revolucion më të vonë të njerëzimit : Elektrifikimin.

Shqiptarët që në kohët pellazge kishin si perëndi Diellin d.m.th. ndricuesin e universit.
Dihet që Dita e Shtatë e Javes – E Dielë - në shqip rrjedh pikerisht nga rrenja “Diell” . Për më tepër në Shqip, Java me shtatë ditët e saj s’është gjë tjetër përvecse një njesi e perbërë me Zotat e Lashta (nenkupto planetët apo satelitet e ketyre planetëve) që njiheshin atehere ne lashtesi; Hëna, Marsi, Mërkuri, Enjti, Premti, Saturni dhe Dielli.

Por Dita e Verës që festohet qysh prej kohesh qe nuk mbahet mend nder shqiptarë dhe kulturat e tjera Paleo-ballkanike (tek Rumunet / Daket, apo te Traket pershembull), këtë dekaden e fundit po festohet edhe per nje fakt tjeter më vulgar dhe më material njëkohësisht.

Për shqiptaret e Shqipërisë, ardhja e Pranverës dhe Mbarimi i Dimrit ka një clirim dhe haré që ka lidhje me fundin e peripecisë dhe mundimit Migjenian Dimëror te errësirës qytetare tani në Shekullin e Internetit.

Më shumë sesa vonesa e paturpshme për t’a bëre Shqipërine pjestare të denjë Klubit Politik Europian, lënia e Shqipërisë në errësire për keto 16 vitet e fundit është një nga dëmet dhe dënimet më të keqia që Udhëheqsit dhe Qeveritë Shqiptare në pluralizem që nga ajo Ylli Bufit, Meksit, Finos, Metës, Nanos e gjer tek kjo e sotmja e Berishës kanë dështuar apo me keq akoma, nuk kanë shtruar realisht për zgjidhje një nga krye-problemet më madhore që ballafoqohet Shqipëria e pas Diktaturës.

Cështja e mungesës së energjisë në tëresi dhe energjisë elektrike në vecanti është problemi i problemeve që dështon cdo plan per zhvillim Kombëtar.
Sot shqiptaret e kanë kuptuar se pa i dhënë zgjidhje ketij kryeproblemi nuk do të ketë jo vetëm anëtarësim të Shqipërisë në Klubin Politik të Europës por as dhe shkëputje nga e kaluara dhe as zhvillime te prekshme kombëtare që do të sjellë rrikthim i shpresës në vendin që adhuronte Diellin.

Në vendin ku konsumi i energjisë është dhjetëfishuar sot prodhohet më pak energji sesa prodhohej 20-të vite më përpara.
Kjo është dështim i pa justifikueshëm dhe treguesi më i mirë i atyre politucëve qe gjithë keto 16-të vite kanë në majë te gjuhës “shkuarjen ne Europe” (vini ré se sa mekanike është konceptuar anëtarëzimi në Klubin Politik të Europës; me “shkuarjen” atje dhe jo me ndërtimin ketu në Shqipëri…).
Nuk ka tradhëtim më të madh të shpresave të Shqiptarëve teksa dolën nga nata totalitare sesa lënia e Shqipërsi në errësirë.
Të gjitha qeveritë, edhe pozita edhe opozita e sotme zihen e grihen per cdo gjë tjetër në faqen e dheut por vetëm për këtë nuk mundohen të ulen dhe të bashkëpunojnë për të gjetur urgjentisht rrugët e zgjidhjes.
Ēshtë turp i pa parë vecse në botën e korruptuar, kur e vetmja herë kur Pozita dhe Opozita e tanishme në Shqiperi kanë kaluar në Kuvend me miratim unanim vetem një ligj; Ligjin për faljen e borxheve që Partite Elektorale në Shqiperi i kane Shtetit dhe taksapaguesit Shqiptar. C’far turpi ?!

Në Shqipëri kur mospasja e ndricimit dhe energjise elektrike jo vetem që dështon shpresën e shqiptareve për intergrim Europian por edhe rrëshket akoma më mbrapsht vendin tonë në krahasim me fqinjet te cilëve dikur Shqiperia u shiste energji.
Në Gjuhën Shqipe ka nje lidhje aq direkte dhe mjaft domethenese midis fjales “Ditë” dhe “Diturine” (Përparimin d.m.th Jo-Errësirë). Ashtu sikur në domethënien e fuqishme që na jep preardhja e fjalëve në Shqip, nuk mundet te ket përparim dhe rilindje të Shqiptareve pa pasur dalje nga erresira d.m.th. elektrifikim të plotë të Shqipërise.
Shqiperia, që Zoti i ka falur 68% te ditëve të vitit, ditë me Diell nuk mbledh asnjë 1% të energjise Diellore(?!). Ndërtimi i paneleve Diellore është një rrugë (akoma jo kryesore por e përfillshme) që mundet të përdoret gjithësesi.
Po keshtu, asnjë hap përpara nuk është bërë në shfrytëzimin e energjize së Erës, në vendin ku edhe vetë ky fenomen natyror, emërohet dhe ka kuptim vetëm në Shqip. (Perëndia e Hérës / Héra - në Pellazgisht = Era – në shqipen e sotme)
Akoma është ende herët të pretendosh që kjo formë e fitimit të energjise do të mund të bëhet shpëtimi i njerëzimit në etjen e ketij për energji, por në Shqipëri nuk po duket sikur edhe një hap po bëhet ne këtë drejtim. A thua s’ka ajër në luginat, grykat dhe shpatet e maleve në Shqipëri apo “nuk leviz asedhe një gjethe” në mendjet e shtetareve tane kolltukofagë?
Ka shtete ne Europë (jo vetem ne shtete te përparuara si Gjermania, Hollanda dhe Spanja) qe energjine e Eres e kane në përqindje dyshifrore nga sasia e përgjithshme e prodhimit të energjisë. Në Shqipëri, shtetarët tanë, akoma as që mendojnë për ketë gjë. Akoma këta mjeranë kanë cështje të ditës, hatanë e muajit dhe gurrëgulenë e vitit: Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Kodin Zgjedhor, Mënyrën e Votimit në Kuvend (e fshehtë / apo jo e fshehtë…) apo… Ligjin për ekonomine dhe pronat informale(?!).
Shkurt, cështjet e cështjeve atje akoma jane Partia(të), pozita, fisi, mëhalla, karrikeja, klani e… kuku moj Nëne !!! Tash e 16-të vjet??!!
Shqipëria është njëra nga vendet më të pasura në rajon me energji hidro-energjetike dhe akoma lumenjtë në Shqiperi përmbytin dhe shkaktojne fatëkeqësi fusharëve shqiptar sepse, ende nuk është organizuar nje sistem i kontrolluar në maksimum i kesaj energjie. Lumenjtë në Shqipëri derdhen në det si t’u fryhet dhe si t’u qelloje. Mungon drejtimi, mungon cdo lloj strategjie ekonomike kombëtare për të kthyer energjine dhe potencialin e tyre në përfitim ekonomik. Fjala nuk është për projekte të përmasave të Hidrocentralit të Banjes, që eshte lënë pergjysem e në pikë të hallit që nga pesevjecaret e Kongreseve të Ramis Alias, por edhe për hidrcentrale të vegjël nëpër fshatra dhe zona ku mundet të përfitohet në shkallë me zonale. Gurrë – gurrë behet muri.
Vecse të gjitha shpresat varen në një formë energjie – djegja e fosileve(nafta). Kjo forme jo vetëm që është e kushtueshme por edhe dëmton rënde ambjentin dhe shendetin e popullates. Eshtë ngritur kohët e fundit shpesh edhe me tone kërcënuese, fillimi i punimeve te Termocentralit të Vlorës, që për mendimin tim dhe me informacionin që kam, jo vetem nuk mendoj se është zgjidhja më e mire por edhe dyshoj seriozisht se ka për t’a shpëtuar Shqipërinë nga errësira nga njera anë por ka për të qelbur me helm, pa riparim, nga ana tjeter, pjesën më të bukur të natyrës Shqiptare - Vlorën.
Arihet gjer aty sa të premtohet që Shqiperia të na u kthyeka në eksportues ne rajon, e me kete gjigand të energjisë në Ballkan. Njesoj si në kohen e Metalurgjikut te Elbasanit e celiku i Partisë?
Une mendoj se duhet hequr dorë nga koncepte të tilla megallomane dhe të mendohet seriozisht në perputhje të një strategjie Gjithë-Kombëtare të Zhvillimit. Unë mendoj se një nga drejtimet kyce të strategjise sonë kombëtare për zhvillimin duhet te jet rruajtja dhe zhvillimi i Natyrës dhe Ambjentit Shqiptar. Nga ana tjeter ekonomia e bazuar në turizmin nuk mund të zhvillohet pa prodhimin e kënaqshëm energjetik në vend.
Por cdo projekt , cdo plan-projekt , qoftë edhe kur ka mbrapa kompani shumëmiliarderësh si ky i fundit i Termocentralit të Vlorës që kërcënon pastërtinë e natyrës dhe ambjentit duhet hedhur ne koshin e plerave. Të mos harohet që interesat e Kompanive Private që shpesh na quhen “Kompani Shumëkombëshe” kane interesat e tyre kryefund.
Strategjia jonë e zhvillimit kombëtar duhet te jete parësore dhe cdo vendim, i asnje qeverie, duhet të mos cenoj atë. Ne e dime sa e rendesishme eshte sot në Shqiperi energjia.
Mundet të thuhet se është me rëndësishme se cdo prodhim tjetër në vend. Pa zgjidhur këtë nuk mund të bëhet fjalë se kemi zgjidhur celësin e zhvillimit kombëtar. Iniciativa private dhe investimet e biznesit privat i vendit dhe i huaj, jane zgjidhja qe ende nuk terhiqet sa duhet dhe harmonizohet ne vend. Po kjo nuk duhet të kthehet në një shesh ku mundet te bëjnë përshesh kompani private që interes të interesave kane fitimin dhe se rruajtje a ambjentit , sic eshte vertetuar me perpara në gjithë Botën , është ndër të fundmet interesa.

Mendoj se duhet të ecet shumë më shpejtë me projekte eficente pa pretenduar qe të kalojm në megallomani, si me taracat e portokalleve të Krushcovit apo me Metarlugjikun e Maos. Politikë-bërësit duhet të mendojnë seriozisht dhe nuk duhet t’i zërë gjumi kur vendi është ‘kockë e lëkurë’ për energji.
Mendoj se vënia në fuqi të plotë dhe me teknologji moderne e TEC-eve në Fierit, në Kucovë, Korcë e gjetkë, mundet të jetë një fillim i mirë. Po kështu edhe gjetja e burimeve të tjera të qëndrueshme në Tregun Boteror p.sh. të Gazit të lëngshëm është një rrugë tjetër që nuk duhet injoruar si gjer më tash. Ne këtë drejtim nuk duhet te ecet me ideologjizma apo politika partiake / klaneske sic po duket që fatkeqsisht po ecet.

Të gjithë shqiptarët, që festuan sivjet Ditën e Verës, të Gjitha Qeveritë që do vijnë e ikin, të gjithë politikëbëresit, nuk do t’urojnë sinqerisht popullit qe i zgjodhi, mbarimin e errësires dhe mënxyrës Dimerore në cdo 14-të Mars - Gëzuar Diten e Veres!
Megjithëse shqiptarët me benzmercedezët e tyre dhe gjeneratorët zhurmedhenj po bejnë gati brekët e banjove të Djellit në plazhet idilike me rrëre të nxehtë diku në Jon, Adriatik apo gjetkë per stinën e Verës, përsëri - Dimri do të vije përsëri në Shqipëri. Bbbëëëëërrrrrrr


© Shpetim Alimeta 14 Mars 2006